Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një konferencë për shtyp, ka thënë se pret që ura mbi lumin Ibër të “hapet dhunshëm” më 14 ose 15 gusht, derisa ka pretenduar njëkohësisht se për hapjen e urës do të angazhohen edhe “agjencitë e huaja” perëndimore, duke mos ofruar asnjë provë për këtë.
“Më 14 apo 15 gusht pres hapjen e dhunshme të urës, aty do të angazhohen edhe agjencitë e huaja”, ka deklaruar ai, duke shtuar se “liderët e rinj” serbë, që sipas tij, do të instalohen në Kosovë, do t’i përgjigjen kryeministrit kosovar, Albin Kurti, ka transmetuar agjencia serbe e lajme “B92” të dielën.
“Do të përpiqen të instalojnë disa liderë të rinj serbë, do t’i potretizojnë si trima edhe pse nuk janë, të cilët do të mundohen t’i ndajnë nga Beogradi dhe pastaj të bien dakord me Kurtin se si të bëhen shërbëtorë të tij. Më lejoni t’ju them menjëherë se nuk do të funksionojë”, ka shtuar presidenti serb.
Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se ura mbi Ibër, që aktualisht ndan qytetatin e Mitrovicës në vija etnike, duhet të hapet plotësisht. Aktualisht, ajo është e hapur për këmbësorë, por jo për automjete. Megjithatë, vendet e QUINT-it në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë deklaruar se nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në këtë moment.
Ndryshe, autoritetet kosovare veçse kanë nisur të kryejnë inspektime për hapjen e urës. Para hapjes së urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve, ekzekutivi kosovar synon të testojë “kapacitetin mbajtës të strukturës së urës” fillimisht. Kosova e Serbia janë pajtuar për hapjen e urës në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian (BE).
The post Vuçiç pretendon se Ura e Ibrit do të “hapet dhunshëm” më 14 ose 15 gusht appeared first on Albanian Post.








