gervalla-pjesemarrese-ne-forumin-strategjik-te-bledit

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, do të marrë pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, që do të mbahet më 2 dhe 3 shtator, ka njoftuar shërbimi për shtyp nëpërmjet një komunike të dielën pasdite, ndërsa janë paralajmëruar edhe takime bilaterale.

Në bazë të komunikatës së lëshuar nga MPJD-ja, gjatë edicionit të sivjetmë të Forumit Strategjik të Bledit, shefja e diplomacisë kosovare do të paraqesë përkushtimin e Kosovës për të luajtur një rol aktiv dhe konstruktiv në avancimin e strategjive rajonale dhe globale për paqe, siguri dhe stabilitet.

“Ministrja Gërvalla gjatë paneleve dhe takimeve do të theksojë përparimin që Kosova ka arritur në përmbushjen e kushteve në procesin e integrimeve euroatlantike, reformat e thella në sundimin e ligjit, avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në komunikatën e MPJD-së

“Ministrja Gërvalla do të nënvizojë gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit multilateral për të adresuar dhe tejkaluar sfidat globale, duke pozicionuar Kosovën si një partner të besueshëm të shteteve demokratike dhe të përkushtuar në skenën ndërkombëtare”, thuhet më tej në komunikatë.

Pjesëmarrësit në Forumin Strategjik të Bledit, i cili mbledh rreth vetes udhëheqës, diplomatë, ekspertë e personalitete të shoqërisë civile, do të diskutojnë rreth çështjeve të sigurisë, mbrojtjes, demokracisë, zgjerimit, ndryshimeve klimatike, si dhe për luftërat në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.

Ndryshe, kryediplomatja kosovare do të flasë në panelin “Evropa e plotë dhe e lirë: Zgjerimi si një strategji e projektit të pajtimit” në Ballkanin Perëndimor, ku folës janë edhe ambasadori amerikan në Beograd, Chris Hill, dhe Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili ka paralajmëruar vizitë në Prishtinë së shpejti.

The post Gërvalla pjesëmarrëse në Forumin Strategjik të Bledit appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here