Greva e më shumë se 10 mijë punonjësve të 25 hoteleve në SHBA, të cilët zgjodhën Ditën e Punës për të vënë theksin te kërkesat e tyre, vazhdoi edhe të hënën.
Ata kërkojnë paga më të larta, volum më të drejtë pune dhe që numri i punonjësve në një hotel të kthehet siç ishte para shkurtimeve për shkak të pandemisë.
Sindikata ‘Bashkohuni këtu’, e cila përfaqëson pastruesit që janë futur në grevë dhe pjesën tjetër të personelit të hoteleve, tha se 200 punonjësit e Hilton Baltimore Inner Harbor janë më të fundit që iu bashkuan grevës.
Gati gjysma e punonjësve që u futën në grevë, ose rreth 5 mijë, janë në Honolulu të Hauait. Në grevë janë edhe mijëra punonjës hotelesh në Boston, San Francisco dhe dy qytetet e Kalifornisë, San Diego dhe San Jose.
Greva, që ka në qendër të pakënaqësive hotelet Marriot, Hilton dhe Hyatt është planifikuar të zgjasë nga 1 deri në 3 ditë.
Sindikata tha se një total prej 15 mijë punonjësish votuan në mbështetje të grevës, e cila së shpejti mund të përhapet edhe në qytete të tjera.
Presidentja e sindikatës, Gwen Mills tha se greva është pjesë e një beteje të gjatë për të siguruar paga të qëndrueshme për punonjësit, në një nivel të njëjtë me industritë që tradicionalisht dominohen nga burrat.
“Puna në hotelieri në përgjithësi është e nënvlerësuar dhe nuk është një rastësi që kjo punë bëhet kryesisht nga gratë dhe personat me ngjyrë”, tha Mills.
Ekipi i pastruesve në hotele kërkon rikthimin e praktikës së pastrimit të përditshëm të dhomave në rrjetet kryesore të hoteleve.
Ata ankohen se janë të mbingarkuar me shumë punë, ose se u kërkohet të punojnë pak orë dhe se kjo ndikon në pagën që marrin. Shumë hotele kanë kufizuar shërbimet gjatë pandemisë dhe ende nuk i kanë rikthyer ato.
Por hotelet thonë se klientët nuk po kërkojnë pastrimin e përditshëm të dhomave dhe shërbime të tjera.
The post Mijëra punonjës hotelesh në SHBA në grevë, kërkojnë paga më të larta appeared first on Albanian Post.








