Një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes me një mjet të mprehtë në Prishtinë.
Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 18 :00, kemi marrë informatën për një lëndim trupor të ndodhur në rrugën “Lekë Dukagjini” në Prishtinë. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga një mjet i mprehtë është lënduar një person”.
“I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që policia ka nisur një hetim lidhur me rrethanat e këtij rasti”, tha Ahmeti.
Po ashtu, një person ka vdekur e pesë të tjerë kanë mbetur të plagosur në Prishtinë, pas një konflikti të armatosur mes dy grupeve të dielën në mbrëmje.
Policia e Kosovës ka njoftuar nëpërmjet një komunikate të hënën se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
“Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, personat e plagosur janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) nën masën e arrestit dhe mbikëqyrjes policore.
The post Një person goditet me mjet të mprehtë në Prishtinë appeared first on Albanian Post.








