bislimi-kerkon-te-hiqen-masat-e-be-se

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, ka njoftuar se ka takuar ambasadoren e re të Holandës, Karin Boven, ku kanë diskutuar për nevojën e largimit të masave të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) më shumë se një vit më parë.

“Kam pasur një takim mikpritës me ambasadoren e re të Holandës në Kosovë, Karin Boven. Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare, rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe nevojën për heqjen e masave të BE-së kundër Kosovës. Mezi pres të punoj ngushtë me ju, ambasadore”.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka rekomanduar largimin e masave ndëshkuese kundër Kosovës muaj më parë, por shtetet anëtare akoma nuk kanë vepruan në bazë të raportit. BE-ja ka paralajmëruar më herët se veprimet e fundit të qeverisë mund të ndikojnë negativisht në mundësinë e heqjes së masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Zyrtarë të BE-së vazhdimisht kanë nënvizuar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës që u implementuan në bazë të deklaratës së vendeve anëtare të 3 qershorit 2023, do të pezullohen vetëm atëherë kur ekzekutivi kosovar të bëjë hapa konkretë në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, përfshirë hapjen e procedurave për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

BE-ja dhe shtetet anëtare, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) vazhdojnë t’u kërkojnë autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga “hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar” që mund të rrisin më tej tensionet, posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

The post Bislimi kërkon të hiqen masat e BE-së appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here