“barbarizem”:-drogon-bashkeshorten-per-10-vjet-dhe-kontakton-me-burra-te-tjere-per-ta-dhunuar

Gjyqi i Avignon për përdhunimet e Mazanit përjetoi momentin më dramatik këtë mëngjes me dëshminë e viktimës, shtatëdhjetë vjeçares Gisèle Pélicot.

Për dhjetë vjet, ajo u drogua dhe u la pa ndjenja nga i shoqi, përpara se të përdhunohej në shtëpinë e tyre në Mazan, në jug të Francës, nga dhjetëra të huaj që ai rekrutoi.

Ka qenë vetë bashkëshorti që ka filmuar dhunën, e cila me siguri do të kishte vazhduar nëse nuk do të ishte denoncuar në shtator të 2020-ës, pasi filmoi fshehurazi tre klientë në një supermarket.

Gjatë hetimeve për atë krim, policia zbuloi video të 92 përdhunimeve, si dhe identifikoi 50 autorë përveç bashkëshortit.

Tridhjetë e pesë prej tyre pranuan marrëdhënie seksuale, por jo qëllimin për të kryer dhunë, pavarësisht se videot ishin të qarta.

Gisèle Pélicot dëshiron që gjyqi të jetë publik dhe hyn në sallën e gjyqit të Avignon e shoqëruar nga tre fëmijët dhe avokatët e saj.

“Së pari do të doja të përshkruaj një histori që për mua fillon më 19 shtator 2020”, thotë Gisèle Pélicot.

Atë ditë burri i saj Dominique Pélicot i tha se kishte bërë një marrëzi, ai u kap duke filmuar nën fundet e tre grave në një supermarket afër shtëpisë së tyre, në Carpentras.

“Jam habitur – thotë gruaja – në pesëdhjetë vjet bashkëjetesë, ai nuk ka bërë kurrë ndonjë gjest të turpshëm. Unë i them që këtë herë e fal, por nuk duhet të ketë ngjarje të tjera të ngjashme dhe se do t’i kërkojë falje këtyre grave. Nuk mund ta imagjinoj shtrirjen e asaj që do të zbuloj së shpejti”.

Më datë 2 nëntor 2020, burri e gruaja u thirrën në komisariatin e Carpentras.

“Për pesëdhjetë vjet e kam mbështetur gjithmonë burrin tim. Nuk kemi pasur një jetë lineare, por kemi qëndruar gjithmonë të bashkuar. I kam qëndruar gjithmonë pranë gjatë problemeve financiare, marrëdhënieve dhe shëndetit. Kur na telefonuan mendova se duhej të zgjidhja një formalitet. Por polici më bën një sërë pyetjesh”.

E pyetur për një mendim për bashkëshortin e saj, Gisèle Pélicot përgjigjet duke thënë “një njeri i mirë”.

Por polici paralajmëron: “Unë do t’i tregoj asaj gjëra që nuk do t’i pëlqejnë”.

“Ai më jep një fotografi, por unë nuk i kisha syzet, nuk e njoha gruan në shtrat. Polici më thotë të shikoj me kujdes. E kisha të vështirë ta njihja veten, kisha rroba të çuditshme. Në foton e tretë i them të ndalojë. Janë skena dhune, unë jam në gjumë dhe po më dhunojnë”.

“Në të vërtetë, dhuna nuk është fjala e duhur, është barbare”.

“Bota ime shembet. Gjithçka që kam ndërtuar me Pélicot bie. Tre fëmijë, shtatë nipër e mbesa, një çift i bashkuar. Miqtë tanë na thanë se ishim çifti ideal. Dua të zhdukem, po mendoj të marr makinën me qenin tim dhe ta mbaroj”.

Gruaja më pas telefonon bashkëshortin e njërit prej tre fëmijëve të saj dhe i tregon se çfarë i ka ndodhur.

Më vonë gjen guximin të thërrasë vajzën.

“E pyes nëse burri i saj është me të, i them të ulet. Dëgjoj si ulërimat e një kafshe. Kjo thirrje do të mbetet e ngulitur në kujtesën time. E merr telefonin dhëndri. Pastaj më duhet të telefonoj dy fëmijët e mi. Kur ua shpjegoj situatën, nuk jam e sigurt se e kuptojnë mirë”.

Gisèle Pélicot pa videot e dhunës që pësoi majin e kaluar.

“I pashë të gjitha, të gjitha. Nuk janë skena seksi, janë skena dhune. Janë dy-tre sipër meje. Unë dua që dëshmia ime të jetë publike, në mënyrë që asnjë grua të mos pësojë nënshtrim si ai që pësova unë. Për sa më përket mua, dëmi është bërë. Por doja që këto seanca dëgjimore me dyer të hapura të ndihmonin të gjitha gratë, të cilat ndoshta nuk do të njihen kurrë si viktima”.

Gisèle Pélicot nënvizon se ka pasur vetëm dy burra në jetën e saj, njëri prej të cilëve është bashkëshorti i saj Dominique, organizator i dhunës, i cili mbeti me sy të ulur gjatë dëshmisë së gruas.

Në fund të 10 viteve të dhunës, nga viti 2011 deri në vitin 2020, Gisèle Pélicot pati probleme të rënda shëndetësore, lodhje të madhe dhe humbje të kujtesës, të shkaktuara nga pilulat e fuqishme të gjumit dhe barnat e tjera që i jepeshin fshehurazi nga i shoqi.

I pandehuri kryesor në gjyq së bashku me 50 burra të tjerë të rekrutuar online, Dominique Pélicot do të dëshmojë në gjykatë të mërkurën e ardhshme.

Gjyqi pritet të mbyllet në dhjetor.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

The post “Barbarizëm”: Drogon bashkëshorten për 10 vjet dhe kontakton me burra të tjerë për ta dhunuar appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here