jep-doreheqjen-muhamet-rrumbullaku

Pas dy vitesh në krye të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku i ka dorëzuar ministrit të Brendshëm dorëheqjen, duke i hapur rrugë hapjes së garës për kreun e ri të bluve.

Raportohet se dorëheqja është dorëzuar nga ana e Rrumbullakut, por ende nuk ka një vendim nëse do të pranohet apo jo.

Kompetencat ndërkaq i janë deleguar Sokol Bizhgës.

Në ndërlidhje me këtë zhvillim, Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, do të thërrasë nesër në orën 10:00 një mbledhje të rëndësishme.

Në këtë mbledhje do të marrin pjesë të gjithë drejtorët e policisë së qarqeve, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, si dhe drejtuesit e departamenteve të ndryshme.

Pritet që diskutimet e mbledhjes do të përqendrohen në procedurat për emërimin e kreut të ri të Policisë së Shtetit dhe në planifikimin e hapave të ardhshëm për këtë proces.

Kush është Muhamet Rrumbullaku?

Muhamet Rrumbullaku është diplomuar “Specialist i Lartë Policie” në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, në Fakuletin e Drejtësisë Tiranë dhe ka marrë titullin Jurist në vitin 2010.

Rrumbullaku ka ndjekur disa trajnime, çertifikuar në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Hungari.

Nga viti 2019 deri më 2022 ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Prej 24 marsit të vitit 2022, ai mbante postin e Drejtorit të Mbikëqyrjes Policore, të cilin e dorëzoi te Ardi Veliu dhe vetë mori pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.

Kushtet për zgjedhjen

Udhëzimi që përcakton rregullat dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët që do të garojnë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm:

Thirrja do të jetë e hapur për shtatë ditë dhe më pas, të gjitha kandidaturat do të kalojnë në filtrat e një Komisioni të Posaçëm që do të ngrihet enkas për zgjedhjen e kryepolicit të Shqipërisë, i përbërë nga një prej zëvendës ministrave, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme dhe drejtuesi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Veç aftësive profesionale, një rëndësi të madhe do të ketë dhe integriteti moral, si dhe aftësitë organizative dhe drejtuese.

Përsa i përket integritetit moral, kandidati për Drejtues i Përgjithshëm duhet të ketë reputacion dhe të gëzojë respekt në shoqëri dhe mes kolegëve.

Gjithashtu, do të vlerësohen cilësitë morale si ndershmëria, përpikëria në kryerjen e detyrave, drejtësia në marrjen e vendimeve dhe llogaridhënia, etj.

Udhëzimi i ministrit të Brendshëm parashikon dhe një sërë elementësh shtesë, të cilët do të ndikojnë në renditjen më lart në listë të kandidatëve për kryepolic, si mbajtja e titujve akademikë, studimet dhe trajnimet afatgjata të kryera jashtë vendit, jo më pak se dy javë në fushën e rendit ose sigurisë ose aftësive menaxheriale dhe zotërimi i gjuhëve të huaja, duke i dhënë përparësi gjuhëve zyrtare të Këshillit të Evropës.

Pas kalimit të të gjitha hapave që përcaktohen qartë në udhëzimin e ministrit Ervin Hoxha, Komisioni i Posaçëm bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon ministrit.

Në përfundim, ministri i Brendshëm i propozon kryeministrit një nga kandidatët me vlerësimin më të lartë, duke e shoqëruar me një relacion i cili shpjegon procesin e ndjekur, kandidatët që u kualifikuan dhe shkaqet për propozimin e kandidatit përkatës për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

The post Jep dorëheqjen Muhamet Rrumbullaku appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here