Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Brnabiç, në një intervistë për Euronews Serbia, ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjes se a e ka tërhequr letrën e dërguar Bashkimit Evropian vitin e kaluar, ku si kryeministre atëbotë shprehte rezerva për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ditë më parë tha se Serbia ka tërhequr letrën në fjalë.
Megjithatë Brnabiç gjatë intervistës tha se nuk do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.
“Nuk e di pse Lajçak tha një gjë të tillë. Nuk kam folur me të, por e di cila është e vërteta dhe do ta dëgjojmë kur të jetë koha e duhur për vendin dhe interesat tona”, tha ajo, duke shtuar se tani nuk është koha e duhur.
Kryeminisitrja e atëhershme e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhjetorin e vitit të kaluar i dërgoi BE-së një letër, përmes së cilës, Serbia shprehu rezerva për Marrëveshjen Bazë
Në atë letër u tha, mes tjerash, se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de facto dhe de jure të Kosovës.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi në Prishtinë, Lajçak tha se letra është tërhequr dhe marrëveshja është ende valide.
“Jo, Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme dhe po punojmë në zbatimin e saj. Asnjëra palë nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje dhe po diskutojmë me Kosovën dhe Serbinë se si ta përshpejtojmë zbatimin”, tha Lajçak.
The post Brnabiç s’e konfirmon tërheqjen e letrës dërguar BE-së kundër Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit appeared first on Albanian Post.








