“Taktika e nëndetëses” është ajo kur qëndron nën sipërfaqen e ujit dhe për rrjedhojë larg polemikës. Është ajo që ka adoptuar kreu i Komisionit Evropian, Ursual Von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Itali. Sa më pak të duket e sa më pak të dëgjohet.
Pas përballjes së parë në Mastriht mes të ashtuquajturve spitzekandidaten (kandidatët për kryesinë e Komisionit Evropian), Ursula von der Leyen po ndryshon strategjinë e saj.
Ata që frekuentojnë stafin e tij, sidomos nga eksponentët gjermanë të PPE-së (Partisë Popullore Evcropiane), shpjegojnë se ky muaj i fundit konsiderohet shumë i rrezikshëm, pasi hapjet e bëra ndaj konservatorëve të ECR-së, grupit të udhëhequr nga Giorgia Meloni, kanë lënë disa plagë.
Si në marrëdhëniet me partinë e saj, po ashtu edhe me disa nga Kancelaritë themelore si ato të Parisit dhe Berlinit, aq sa “është thelbësore të hyhet në fazën e heshtjes”. “Sepse tani”, shpjegojnë të njëjtat burime për italianen La Repubblica “fushata elektorale është një rrezik. Duhet të bëhen sa më pak gabime. Me shpresën se këto ditë do të kalojnë shumë shpejt”.
Presidentja në largim i Komisionit e ka kuptuar pra se marrëdhënia me kryeministren italiane dhe me të djathtën evropiane po kthehet në handikap. Nuk bëhet fjalë vetëm që të ketë provokuar acarime Presidentit francez dhe bashkatdhetarit të saj, socialistit Scholz, por edhe që strategjia e PSE-së për të bashkuar PPE-në dhe konservatorët në një front të vetëm po gëzon sukses: në sondazhe dhe gjithashtu në rezultatet reale. Boll të mendohet vetëm për Portugalinë, Spanjën dhe madje edhe Katalonjën së fundmi.
Kështu që Von der Leyen-it i duhet të ndryshojë stilin e “vrapimit” drejt zgjedhjeve. Gjithashtu edhe në lidhje me aleancat që do të ndërtohen në kuadër të Këshillit Evropian. Në fillim ajo kishte vënë bast për shumicën në Parlament, tani i duhet të rindërtojë fillimisht një marrëdhënie me “partnerët e mëdhenj” të BE-së.
“Deri para disa muajsh”, thonë ende burimet “ajo ndihej në qendër të gjithçkaje. Tani nuk është më. Përkundrazi”. Jo vetëm sepse janë shfaqur kandidaturat e fuqishme alternative si ajo e Mario Draghit, por edhe sepse fakti që pranoi për të përfaqësuar PPE-në e ka shndërruar atë në një konkurrent partizan dhe jo “super partes”.
Pikërisht për këtë arsye ajo duhet të rikonstituojë një koalicion mes qeverive të 27-ëshes që vendos ta caktojë si kandidate pas zgjedhjeve. Me pak fjalë, ajo duhet të bindë Francën, Gjermaninë, Spanjën dhe Italinë që ta mbështesin atë. Për këtë arsye duhet t’i bëjë njerëzit të harrojnë – siç u përpoq të bënte dje në Romë – se ajo ka qenë përkrah Melonit dhe se kishte krijuar gjithmonë një anë me konservatorët. Por në të njëjtën kohë ajo nuk mund të ndërpresë dialogun me Kryeministren italiane.
Një akt balancues vërtet i ndërlikuar. Vetëm shikoni se çfarë ndodhi dje në kryeqytetin italian. Ku Von der Leyen mori pjesë në një event të organizuar nga Forza Italia, FI, (pjesë e maxhorancës), por me dyer të mbyllura, duke shmangur takimin me kryeministren.
Duhet të kemi parasysh që ky është një element që po krijon shumë polemika në Gjermani, pikërisht vendi i kryetares së Komisionit. Shumë kanë filluar të pyesin: nëse ECR-ja nuk ka një spitzenkandidat, a është kjo për faktin se Meloni mbështet Ursulën? Një pyetje që krijon siklet në pallatin e Komisionit Evropian.
Bëhet fjalë kështu për një ushtrim të vështirë për t’u kryer. Një vrapi në një kreshtë shumë të rrëshqitshme. Jo rastësisht ajo dje ka pranuar ftesën e zëvendëskryeministrit italian dhe kreut të FI-së, Antonio Tajanit.
Ajo nuk bën dot pa të, sepse i konsideron të domosdoshëm italianët popullorë për të bllokuar rrugën e Draghit. Dhe në të njëjtën kohë nuk duhet të ekspozohet shumë deri në Këshillin e ardhshëm Evropian për të mos mërzitur Macron-in (liberal), Scholz-in (socialist) dhe Sanchez-in (socialist).
The post Von der Leyen injoron të djathtën në Itali, takohet me Tajanin ndërsa eviton Melonin appeared first on Albanian Post.








