Trafikanti më i kërkuar i qenieve njerëzore në të gjithë Evropën mund të ketë mbaruar së shfrytëzuari gjendjen e emigrantëve.
Barzan Majeed, me nofkën “Akrepi”, thuhet se u arrestua nga forcat kurde të sigurisë.
Sipas televizionit irakian Kurdistan 24, një operacion i përbashkët i shërbimeve sekrete të Kurdistanit të Irakut dhe Interpolit e kapi atë sot në Suleymaniyah, një qytet me 670 mijë banorë në pjesën lindore të rajonit të Kurdistanit irakian, jo shumë larg kufirit me Iranin.
Vetëm rreth dhjetë ditë më parë Majeed e lejoi veten të intervistohej nga BBC në Sulaymaniyah, ku lindi dhe u rrit dhe ku, fshihej nga urdhër-arrestet e shumta që i vareshin mbi kokë.
Media britanike e kërkoi fillimisht në Stamboll, pastaj në Irak. Gazetarët anglezë i lanë të dhënat e kontaktit me njerëzit që e njihnin. Dhe një natë ishte ai që u shfaq duke thënë se ishte i gatshëm të fliste.
Takimi u zhvillua në një qendër tregtare të qytetit.
“Unë nuk jam kriminel, janë emigrantët ata që na luten t’i ndihmojmë të nisen për në Evropë”, tha ai në intervistën, në të cilën shkoi i shoqëruar nga tre truproja.
Nëse njoftimi i Kurdistan 24 është i vërtetë, mund të jetë që me intervistën ai pa dashje zbuloi lëvizjet e tij për forcat e sigurisë kurde.
Ai vetë ishte një emigrant, i cili hyri ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2006, i fshehur në një kamion.
Ai u arrestua për vjedhje, grabitje, pazar droge dhe u dëbua në vitin 2015.
Në atë moment ai mori një aktivitet të ri: trafikun e qenieve njerëzore, një biznes i trashëguar nga vëllai i tij, i cili tashmë kishte përfunduar në burg për të njëjtën gjë në Belgjikë.
“Akrepi” është gjithashtu i paditur dhe i dënuar në mungesë me dhjetë vjet burg nga autoritetet belge, por ai duket i pakapshëm.
Referuar gjyqtarëve të Brukselit, ai fitonte deri në 10 mijë euro për emigrant për të siguruar kalimin me gomone.
Rruga e tij kryesore ishte Kanali Anglez, por ai organizoi edhe trafikun klandestin në Mesdhe, nga Afrika në Itali.
30 mijë njerëz rrezikuan jetën e tyre për të shkuar në Angli me varkat e tij.
Tashmë, në moshën 38-vjeçare, duket se “Akrepi” nuk do të jetë më në gjendje, edhe nëse dikush me siguri do të jetë gati ta zëvendësojë atë në biznesin e pistë të trafikantëve të qenieve njerëzore.
Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.
The post Arrestohet trafikanti më i kërkuar i qenieve njerëzore në Evropë appeared first on Albanian Post.








