Të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme u rrit me 40% gjatë muajit prill të vitit 2024 dhe me zhvillime tejet pozitive në turizëm, konsumi brenda Shqipërisë duket se do të shohë veç rritje në vijim.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, në prill u arkëtuan 6.2 miliardë lekë nga TVSH-ja e brendshme nga tatimet, krahasimisht me 4.4 miliardë që ishte një vit më parë në të njëjtën periudhë.
Për të gjithë 4-mujorin tatimet kanë arkëtuar 24,2 miliardë TVSH lekë, me rritje vjetore 23.2%.
Duke parë këto zhvillime pozitive, tatimet kanë rimbursuar kështu 4.5 miliardë lekë TVSH (40 milionë euro) ndaj biznesit, me rritje 18.5% në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Të ardhurat totale nga TVSH-ja neto në buxhet arritën në 67 miliardë lekë në janar-prill 2024, me rritje vjetore 10.8%, por kontributin më të madh në këtë vlerë e kanë të ardhurat nga TVSH që vilen në doganë.
TVSH e arkëtuar nga doganat kontribuoi me 70% të totalit të TVSH-së së arkëtuar në 4 mujor, ndërsa TVSH e brendshme e grumbulluar nga tatimet me 30%.
Për 12-mujorin 2023 rimbursimi për TVSH-në ishte programuar 18 miliard lekë dhe është realizuar në vlerën 22.6 miliard lekë me një realizim prej 4.6 miliardë lekë ose 25.6% më shumë. Krahasuar me vitin 2022, shuma e rimbursimit ishte 0.6% më shumë.
Personat e tatueshëm, të regjistruar për TVSH-në, që rezultojnë me tepricë kreditore mbi 400 mijë lekë, kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për rimbursimin e TVSH-së pranë Drejtorisë së Rimbursimit të TVSH-së në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.
Rimbursimi i TVSH-së kryhet brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës nëpërmjet sistemit të Thesarit, në bazë të rregullave të përcaktuara në udhëzimin e Ministrit të Financave. Kërkesa i nënshtrohet analizës se riskut për rimbursim.
Bizneset me ris zero rimbursohen automatikisht brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Në rast të mosrimbursimit të shumës së miratuar, personit të tatueshëm i lind e drejta e mospagesës së detyrimeve të tjera tatimore në masën e TVSH-së së pretenduar për rimbursim.
Nëse një rimbursim, i cili duhej kryer nga administrata tatimore, nuk kryhet brenda afateve të mësipërme, administrata tatimore paguan kamatëvonesë.
Tatimet kanë shlyer tërësisht detyrimet e prapambetura që akumuloheshin në rimbursimin e TVSH-së dhe afatet nga kërkesa tek përfitimi janë shkurtuar ndjeshëm.
The post Tatimet rimbursojnë 40 milionë euro TVSH gjatë prillit, teksa arkëtimet rriten appeared first on Albanian Post.








