Në labirintin e procedurave penale, menaxhimi i pasurive të individëve të dyshuar ose të akuzuar është i rëndësishëm për të siguruar që drejtësia të shërbejë si parandalues dhe si mjet ndëshkimi.
Dy nga mjetet më thelbësore të përdorura për këtë qëllim janë sekuestrimin dhe konfiskimin, siç na shpjegon një ekspert i fushës.
Avokati Arlind Ahmetaj bën një ndarje për secilin nga ato.
“Sekuestrimi është mjet preventiv (i përkohshëm) pra që vendos shënim në kartelë me qëllim që pasuria mos të tjetërsohet”, thotë ai për Albanian Post.
Kështu, përgjithësisht ky mjet, sipas Ahmetaj përdoret në fillim të çështjes penale/hetimit pasuror duke mundësuar që personi nën hetim mos të tjetërsojë pasurinë (ta shesë, dhurojë) dhe kështu të bëjë më të vështirë ekzekutimin.
Ky mjet ndërhyrës, që aplikohet që në nisjen e një çështje penale, ka të bëjë gjithashtu me vendosjen e shënimit në regjistrat e barreve siguruese (pasuri të luajtshme) ose pasuri të paluajtshme.
Ndërsa, pas mbylljes së një çështjeje, kur sekuestrimi lë vendin për masa më të forta, hyjmë në fazën e konfiskimit.
“Konfiskimi është mjet përfundimtar që përgjithësisht merr fuqi kur vendimi merr formë të prerë pra pasuria i kalon në pronësi agjencisë së menaxhimit të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara e më pas shtetit”, vijon eksperti.
Ky i fundit thotë se mjeti i ekzekutimit në këtë moment është ndryshimi i pronësisë nga subjekti penal në favor të shtetit dhe disponimi nga ky moment dhe në vijim nga ky i fundit”.
Sekuestrimi dhe konfiskimi janë kolonat që mbështesin integritetin e ndërhyrjeve ligjore në sektorin penal, duke ofruar mjete që parandalojnë manipulimin e pasurive dhe sigurojnë që pasojat e veprimeve të paligjshme të jenë të rënda dhe të ndjeshme.
Me këto mjete në dispozicion, sistemi i drejtësisë vepron jo vetëm si një mbrojtës i rendit, por edhe si një rikuperues i pasurive për të mirën kolektive.
The post Sekuestrimi dhe konfiskimi, si dhe pse po i përdor drejtësia këto mjete për të luftuar krimin e organizuar appeared first on Albanian Post.








