Home Shqipëria Shqipëria është thellësisht e angazhuar në mbështetje të Ukrainës, thotë Hasani

Shqipëria është thellësisht e angazhuar në mbështetje të Ukrainës, thotë Hasani

5
0
shqiperia-eshte-thellesisht-e-angazhuar-ne-mbeshtetje-te-ukraines,-thote-hasani

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili mori pjesë sot në punimet e Këshillit NATO – Ukrainë, në Bruksel, rikonfirmoi se Shqipëria mbetet thellësisht e angazhuar në mbështetje të Ukrainës.

Hasani theksoi se kjo mbështetje është si politikisht, ashtu edhe përmes ndihmave konkrete, për fuqizimin e mbrojtjes, si një sinjal i solidaritetit dhe përkushtimit ndaj vlerave të solidaritetit dhe sigurisë.

Për kryediplomatin e Shqipërisë “bashkëpunimi NATO – Bashkimi Evropian, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor është kyç për të ardhmen e rajonit”.

Hasani nënvizoi rëndësinë e partneritetit midis NATO-s dhe aleatëve të Indo-Paqësorit, me të cilët ndajmë vlerat dhe sigurinë e përbashkët.

Më herët Hasani, ka dhënë një mesazh nga Brukseli, gjatë ministerialit të NATO-s, ku thekson se një aleancë e fortë, është thelbësore për sigurinë e brezave të ardhshëm.

Nga selia qendrore e NATO- në Bruksel, gjatë ceremonisë zyrtare për 75 vjetorin e Aleancës, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se një lidhje e fortë euroatlantike, është thelbësore për paqen dhe sigurinë e ardhshme të brezave.

“Si një komb i vogël, ne e kuptojmë thellë fuqinë e unitetit. Konkurrenca strategjike, kërcënimet e reja, fushatat kibernetike dhe dezinformuese, kërkojnë përshtatje. Ne jemi të inkurajuar nga fokusi në rritje i NATO-s në këto fusha, duke siguruar rëndësinë e saj të vazhdueshme në ruajtjen e së ardhmes sonë të përbashkët”, përshkroi ai.

Duke vlerësuar rolin e Aleancës ndër vite, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme u ndal veçanërisht në rajon.

“Ju  ruajtët jetën e njerëzve në rajonin tonë, jetën e njerëzve nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, të cilët po përballeshin me spastrim etnik”, përmblodhi ai.

Më herët, duke uruar edhe përvjetorin e 75-ë të Aleancës së NATO-s, Hasani shtjelloi se ky shënon një çast të rëndësishëm historik, ku organizata qëndron si garantuese e palëkundur e sigurisë kolektive globale sot.

Përmes një videomesazhi nga Brukseli, ku edhe po mbahet ministeriali i NATO-s, Hasani jep një mesazh për rëndësinë që paraqet ky vit, për shkak edhe të 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në organizatën ushtarake më të madhe në botë.

“75 vitet e fundit janë një dëshmi e fuqisë dhe qëndrueshmërisë së NATO-s. Aleanca jonë është përshtatur vazhdimisht me ndryshimin e peizazheve gjeopolitike, duke shfaqur qëndrueshmëri dhe fleksibilitet”, parashtroi Hasani në fjalën e tij.

Më tej, përmend faktin se Aleanca është forcuar edhe së fundmi, me shtimin e Suedisë dhe Finlandës në radhët e organizatës, ku NATO sot qëndron si një garantues i palëkundur i sigurisë kolektive për të gjithë aleatët e saj, e gatshme të qëndrojë e tillë edhe për shumë dekada të tjera.

“Përballë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimit të kërcënimeve globale të sigurisë, rëndësia e NATO-s nuk ka qenë kurrë më e theksuar sa sot”, vijon më tej kryediplomati shqiptar.

Ai shton se për Shqipërinë, data 1 Prill 2009, shënon një moment kyç në historinë tonë dhe një afirmim të aspiratave për të krijuar një shtet modern demokratik.

“Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve”, përmend.

Teksa, në vitet që pasuan, ravijëzon se Shqipëria ka bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin.

“Teksa përkujtojmë këtë moment historik, ne do të vazhdojmë kontributet tona për Aleancën tonë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm të palëkundur që kemi treguar që nga dita e parë, në kërkim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit”, e përmbyll ai fjalën.

The post Shqipëria është thellësisht e angazhuar në mbështetje të Ukrainës, thotë Hasani appeared first on Albanian Post.

Previous articleJustin dhe Hailey Bieber “më të lumtur se kurrë”, të afërmit mohojnë se çifti ka kriza
Next article“NZZ”: Kurti, dekonstruktiv dhe kokëfortë – ironikisht, ndjek strategjinë e Vuçiçit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here