haradinaj:-e-mbeshtes-shperberjen-e-kuvendit-vetem-pas-doreheqjes-apo-shkarkimit-te-kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij e mbështet idenë për shpërbërjen e Kuvendit, por vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të kryeministrit Albin Kurti.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të mund ta mbështeste shpërbërjen e Parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kryeministrit. Në situatën në të cilën jemi aktualisht, të gjitha dështimet e Kosovës, brenda dhe jashtë, e kanë vetëm një emër – Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ai ka theksuar tutje se Kurtit “po i rrëshqet toka nën këmbë dhe dëshpërimisht po e kërkon shpëtimin e vet”.

“Në këtë prizëm duhet parë edhe insistimi i tij që pas tre vjet qeverisjeje, më në fund kërkon takim me liderët e opozitës, në mos ata po bëhen shpëtimtarët e tij”, potencoi kreu i AAK-së.

Këto komente Haradinaj i bëri pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Haradinaj e kishte refuzuar ftesën e Kurtit për të darkuar, por ai është shprehur i gatshëm që të diskutojnë në një moment tjetër në qoftë se ka tema të tjera për të përafruar qëndrimet në interes nacional.

The post Haradinaj: E mbështes shpërbërjen e Kuvendit vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Kurtit appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here