Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se partia e saj është gatshme për zgjedhje, derisa ka theksuar se kryeministër i ardhshëm do të jetë kandidati i shpallur nga PDK-ja, Bedri Hamza.
“Gati për zgjedhje. Bedri Hamza, kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, ka shkuar Çitaku në Facebook pas takimit të liderit të PDK-së, Memli Krasniqi me kryeministrin Albin Kurti.
Ndryshe, kryeministri Kurti pas takimit me kreun e PDK-së ka theksuar se është pro shkuarjes në zgjedhje në verë, apo në vjeshtë, por shtoi se për këtë duhet të arrihet pajtim i përgjithshëm edhe me opozitën.
“Edhe unë jam i interesuar që ta diskutoj me opozitën se cila është stina më e përshtatshme. Më mirë është në pranverë ose në vjeshtë, por nuk dua që për këtë ta imponoj vullnetin tim, ose të them vetëm kështu se nuk mundet ndryshe, edhe për shkak se kjo është një çështje për të cilën nuk duhet të bëjmë debat”, tha Kurti.
Kurti: Zgjedhjet më mirë në verë se në dimër, s’ka rëndësi a qeverisë edhe 10 muaj, apo edhe 3 muaj
Ndërkaq Krasniqi ka potencuar se ka pranuar të takohet me kryeministrin për t’i kërkuar një datë të zgjedhjeve dhe që bashkërisht të votohet një mocion për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës.
“Unë i jam përgjigjur ftesës së Kurtit për ta takuar në një darkë pune, sepse konsideroj se është e rëndësishme t’ia shpreh qëndrimet e mia dhe të PDK-së drejtpërdrejtë dhe qartë, sesa ku do të takohemi dhe në çfarë formati që është zgjedhja e tij. Ajo që dua të them është se kjo nuk është asgjë e re”, pohoi Krasniqi.
Tutje, para gazetarëve, kreu i PDK-së ka theksuar se “unë dhe zotëri Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë të kryeministrit të Kosovës”.
Krasniqi është i vetmi prej liderëve të partive opozitare që pranoi ftesën e Kurtit. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e refuzuan ftesën e kryeministrit për të darkuar së bashku.
The post “Gati për zgjedhje – Bedri Hamza, kryeministri i ardhshëm” appeared first on Albanian Post.








