Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, në një përgjigje për “Radio Evropa e Lirë” të enjten, deklaroi se e ka “të pamundur” ta vlerësojë propozimin e Qeverisë së Kosovës për ta hartuar një draftstatut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, duke shtuar se nuk është në dijeni as për përmbajtjen e dokumentit.
“Përmbajtja e statutit që Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do ta përpiloj është e panjohur dhe nuk është diskutuar as me Serbinë, as me ndërmjetësin [e dialogut Prishtinë-Beograd]. Prandaj, është e pamundur që të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, nënvizoi ai, derisa kujtoi se zbatimi i së njëjtave është obligim.
Kosova e Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në dialogun për normalizimin e marrëvdhënieve nën kujdesin e BE-së, ndërsa deri tani janë paraqitur disa draftstatute për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përfshirë një të BE-së vitin e kaluar, por edhe nga organizata Friedrich-Ebert-Stiftung (FES).
Stano shtoi se BE-ja e mirëpret gatishmërinë e shprehur nga Kosova për t’u angazhuar tani drejt themelimit të këtij mekanizmi, posaçërisht sepse përkundër që autoritetet kosovare kanë pasur mundësinë për 10 vjetët e fundit të përpunojnë një koncept të përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, hartimin e draftstatutit s’e ka bërë askush.
“Kosova prej vitit 2013 nuk e ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe me këtë edhe drejt forcimit të të drejtave të pakicave, edhe pse ka pasur raste të shumta për të bërë këtë”, potencoi Stano, derisa shtoi se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mbetet obligim i pazbatuar i Kosovës.
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, deklaroi se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
The post Stano: S’mund ta vlerësojmë draftin e paralajmëruar nga Kosova, s’është diskutuar as me Serbinë e as me BE-në appeared first on Albanian Post.








