sulmi-i-veliajt-ndaj-gazetareve,-rama:-nje-gabim-i-madh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u shpreh se deklaratat e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundrejt gazetarëve ishin një gabim i madh.

Rama në emisionin “Opinion”  theksoi se këtë gjë ia ka thënë personalisht edhe Veliajt.

Ai pohoi se ka pasur gabime të tij ndaj medias, por se kurrë nuk ka sulmuar askënd me emër.

Kjo pasi – numri një i Qeverisë – i cilëson këto si sulme jo të denja.

“Unë personalisht kam pasuar shumë herë reagime ndaj medias. Por, nuk kam sulmuar kurrë një me emër, një person, sepse këto sulme nuk janë sulme të denja për kë do qoftë që ka një funksion të lartë dhe që ka një raport që lidhet me rolin e tij institucional”, ishte fjala e kryeministrit.

Deklaratat e Veliajt erdhën pas marrjes në pyetje nga SPAK.

Kryebashkiaku reagoi ashpër ndaj analistëve që sipas tij e kanë sulmuar për favore personale që nuk u janë realizuar nga institucioni që ai drejton.

“Mjafton të shikoje dje emisionet e lajmeve, dhe ti kupton se një nga meritat tona është se kemi mbledhur si armiq bashkë të gjithë llumin. Secili prej analistëve, ka kërkuar diçka në bashkinë e Tiranës. E di ai çfarë ka kërkuar Ben Reli për atë portalin që nuk jepet leje në kopshtin zoologjik. E di ai tjetri çfarë ka kërkuar për sondazhet që nuk i bën dhe faturon shifra të panevojshme dhe kur nuk e duan në Kosovë, në Shqipëri e shohim akoma më me përbuzje”.

Veliaj vijoi më tej duke deklaruar se Tirana vlerësohet në Kosovë, pasi “njerëzit më të poshtër që ata i kanë përzënë nuk qasen në Bashkinë e Tiranës”.

“Ai që ka ndërtuar pallat në mes të bllokut e ka shumë të lehtë sepse ky kryetar bashkie nuk e lë më të bëjë pallat në mes të bllokut duke ua vjedhur motrave besimtare. Secili prej maskarenjve që është aty përballë ka interesin e vetë, nuk qan hallin as për pastrimin as për shkollat”.

E për këtë Veliaj kishte një mesazh: “Asnjë të mos ketë asnjë iluzion, secili prej maskarenjve aty ka hallin e vetë. Unë llogarinë e kam vetëm me qytetarët e Tiranës”.

Kryebashkiaku nuk i ndali ofendimet duke i cilësuar “shumicën dërrmuese të analistëve, një llum, që nuk kanë qenë mentori i askujt, që nuk i kanë thënë bravo askujt, që nuk kanë rritur asnjë talent të ri”.

Ai komentoi edhe protestën e opozitës që po zhvillohet në para ambienteve të Bashkisë. Për Veliajn ata “janë një stan me lepuj të cilët kanë nostalgji Tiranën e ’94”.

“Janë të njëjtët njerëz që merrnin pistoleta. Janë stan me lepuj. Mbushur sheshi me turistë dhe fotografonin këta që kanë nostalgji Tiranën e ’94. Nuk ka asnjë shans që Shqipëria të kthehet pas. Çapaçula me molotov janë imitim i dobët i ultrasve të Fanatikëve të Tiranës. Këta nuk kanë lidhje me Tiranën”.

Ai tha se nuk dorëzohet, por se do të punoj më fort. Sipas tij, ata që janë frikacakë nuk shkojnë në SPAK.

“Mos na gjykoni vetëm për punët që kemi bërë por edhe për armiqtë. Kemi sot një vlerësim spektakolar nga turizmi botëror. 365 ditë turizëm. Sot sheshi është plot me turistë. Ata nuk mbledhin dot më shumë se turistët… Sjellja e tyre kafshërore… unë jo vetëm që nuk dorëzohem por do punoj edhe më fort”.

The post Sulmi i Veliajt ndaj gazetarëve, Rama: Një gabim i madh appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here