historia-e-frank-lentinit,-i-lindur-me-tre-kembe-ne-sicili-dhe-i-pasuruar-ne-amerike

“Mirëmbrëma, unë jam Francesco Lentini, por më quani Frank. Ju mund të keni dëgjuar për mua, jam i vetmi burrë në botë me tre këmbë. Është një histori e bukur. Prisni sa të ndihem rehat dhe t’ju them”.

Burri vendos këmbën e tretë sikur të ishte një stol dhe fillon një lloj shfaqjeje.

Njerëzit qeshin. Por është e vërtetë, kjo histori e pabesueshme.

Fillon në Rosolini, më 18 maj 1889, një fshat në zonën e Sirakuzës. Lentini ka lindur me tre këmbë, gjashtëmbëdhjetë gishta dhe dy organe gjenitale.

Në Siçili, në fund të shekullit të XIX-të, jeta e tij duket e mjerueshme dhe pashmangshmërisht e dënuar me turp.

Por më pas kjo histori zhvendoset, ose më mirë emigron, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ka si skenë cirqet shumë të famshëm si Barnum, ata që shfaqnin burra elefantë, burra majmunë, gra me mjekër, xhuxhë, burrat më të gjatë në botë si norvegjezi John Aasen dhe majori Delbert, më i shkurtri me 96 centimetrat e tij.

Italiani është një nga ata, një nga “monstruozitetet”, për të vazhduar me fjalët e përdorura nga shtypi i kohës.

Por në SHBA, Lentini shpejt u bë një yll nga një monstruozitet, ose më mirë “një yll rock para se të ekzistonin yjet e rock-ut”, sipas Alberto Giuffrè, një gazetar 41-vjeçar, i cili i kushtoi një biografi magjepsëse me ritmin e romanit.

Rindërtimi i jetës së Lentinit filloi “kur hasa në një artikull mbi jetën e këtij njeriu – thotë Giuffrè – i cili iku nga atdheu i tij për të kërkuar pasurinë e tij diku tjetër. Pyesja veten pse askush nuk e kishte treguar historinë e tij siç duhet”.

Pjesa tjetër është një kërkim i kryer “me imagjinatë, gjetjen e dokumenteve të pabotuara dhe intervistimin e një nipi”.

Në sfond, midis qyteteve të mëdha dhe provincave të pamasë, shpaloset një gjysmë shekulli i historisë amerikane.

Vitet ’20 të zhurmshme, Depresioni i Madh, Marrëveshja e Re. Frank zbarkon në SHBA sepse një siçilian i afrohet Rosolinit me prindërit e tij – Natale dhe Giovanna – duke thënë se ai fëmijë me tre këmbë mund të “performonte në shfaqjen e Buffalo Bill’s Wild West, duke mbledhur shumë para”.

Pa hezitim, Natale kalon Atlantikun, me destinacion Boston.

“Ai është një djalë i zgjuar, ai e kupton menjëherë se si ta transformojë trupin e tij të deformuar në një mundësi për shëlbim. E bën me talent. Publikut që e ndjek nga New York në Los Angeles, ai i drejtohet me monologë të tillë: Nëna ime nuk lindi dy fëmijë. Më shumë se një, por jo dy. Ai shpejt bëhet i pasur dhe ngre kompaninë e tij”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

The post Historia e Frank Lentinit, i lindur me tre këmbë në Siçili dhe i pasuruar në Amerikë appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here