kurti-bisedon-me-perfaqesuesit-e-komuniteteve-joshumice-per-kohen-me-te-pertashme-per-mbajtjen-e-zgjedhjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka darkuar me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kuvend dhe ka diskutuar me ta se cila është koha më e përshtatshme për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

“Kryeministri Albin Kurti, informoi partnerët e koalicionit për procesin e konsultimeve politike me partitë parlamentare, si dhe theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në njoftim për media të Qeverisë.

“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve joshumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete”.

Ndryshe, Kurti më 13 maj është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, derisa mbajtja e zgjedhjet të parakohshme parlamentare, doli të jetë tema kryesore e “darkës së punës” mes Kurtit dhe Krasniqit, për çka edhe pati një lloj “dakordance”, por siç u tha pas takimit për datën dhe kohën duhet koordinim edhe me partitë e tjera.

Ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e patën refuzuar ftesën e Kurtit. LDK-ja nëpërmjet një komunikate për media ka thënë se dorëheqja e Kurtit duhet t’i paraprijë shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Të njëjtin pozicion e ka elaboruar edhe AAK-ja .Sipas saj, vetëm me dorëheqjen e kryeministrit Kurti mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Përkundër që partitë politike shprehën sërish gatishmëri për zgjedhje të parakohshme parlamentare, akoma nuk ekziston një konsensus në mesin e subjekteve opozitare për thirrjen e një seance të posaçme për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, derisa pushteti u fsheh pas thirrjes për unitet brenda opozitës në mënyrë që t’u hapet rruga zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Partitë veçse kanë nisur të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të reja pak para përfundimit të mandatit të qeverisë së drejtuar nga LVV-ja – mandati katërvjeçar i ekzekutivit aktual përfundon në shkurt të vitit 2025 – ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësia e zgjedhjeve të jashtëzakonshme përgjatë këtij viti nuk mund përjashtohet.

The post Kurti bisedon me përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë për kohën më të përtashme për mbajtjen e zgjedhjeve appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here