Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës ka njoftuar shtetet e QUINT-it për arrestimin e shtetasit kosovar Tefik Mustafa nga autoritetet e Serbisë të shtunën në Merdarë si i dyshuar për krime lufte.
“MPJD për këtë arrestim ka njoftuar dhe shtetet e QUINT-it në Kosovë dhe do t’iu mbajë të informuar rreth këtij rasti dhe për çdo informatë të re do t’ju njoftojmë me kohë. Njëkohësisht ftojmë të gjithë qytetarët që mund të ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Po ashtu në njoftim theksohet se MPJD dënon ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës dhe njëkohësisht i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkretë për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Mustafa dhe njëkohësisht “të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
Ndërsa, më 17 prill, fatin e njëjtë me të Mustafës e kishte pasur edhe Sadik Duraku. Edhe Duraku, i cili është edhe shtetas britanik, akuzohet për krime të pretenduara lufte, akuza këto që janë hedhur poshtë nga familjarët e tij.
Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë, ku ishin bllokuar nga autoritetet serbe një numër i madh i udhëtarëve kosovarë.
Pas arrestimit, një gjykatë serbe i caktoi atij masën e paraburgimit po atë muaj. Ndryshe, në tre vjetët e fundit, nga Serbia janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.
The post MPJD-ja njofton shtetet e QUINT-it për arrestimin e Tefik Mustafës në Serbi appeared first on Albanian Post.








