kusari-lila-s’ka-kryer-tradhti-kombetare,-thote-konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ndërsa ka komentuar bisedën telefonike në mes të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lilës me kryeterroristin, Milan Radojiçiç, ka potencuar se nuk ka asnjë dyshim “në orientimin dhe në qëndrueshmërinë kombëtare të Kusari – Lilës”.

Në vlerësimin e tij Kusari – Lila nuk ka kryer “tradhti kombëtare” me bisedën telefonike që ka realizuar me personin që pranoi se organizoi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjë të Zveçanit.

“Nuk kam asnjë dyshim të tradhtisë kombëtare. Mund ta quani gabim, mund ta quani pakujdesi. Kjo është vetëm vazhdimësi së një rasti që është publikuar në media para 7 ose para 8 muajve, është i njëjti rast ky, vetëm tash po publikohet në sekuenca qysh po i konvenon dikujt”.

Sipas tij gjithë në këtë mes është shumë më tronditës e shumë më shqetësues tendenca për një inxhinjering të ngjarjes.

“Radojiçiç e ka përjetuar humbjen më të madhe në Kosovë në dy vitet e fundit. Gjithçka që ai ka poseduar në Kosovë ai e ka humbur”, ka shtuar ai.

Ishte gushti i vitit të kaluar kur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila – disa ditë pas publikimit të një audio-incizimi ku dëgjohej biseda e saj në telefon me kryeterroristin, Milan Radojiçiç-in për një mori çështjesh politike me ndërmjetësimin e zyrtarit të Listës Serbe, Slavko Simiç-it – kishte garantuar me jetë se kjo bisedë kishte ndodhur vetëm një herë dhe se biseda ishte zhvilluar në gjuhën shqipe.

“E konfirmoj me jetë, jo me mandat, jo me diçka që është kaluese, pra me afat, e konfirmoj me jetën time, sonte e nënshkruaj dhe them se në rast se kjo nuk është unë po dorëzohem”, thoshte ajo në një intervistë për Debat Plus në RTV Dukagjini.

Rreth 10 muaj më pas përsëri përmes një audio-incizimi e publikuar në Nacionale.com – sikurse herën e parë – konfirmohet qartë se Kusari – Lila ka gënjyer publikisht.

Të hënën e 3 qershorit, Nacionale.com, publikoi një audio-incizim të radhës ku dëgjohej qartë se Kusari – Lila ka biseduar për disa minuta – për të dytën herë me radhë, pasi biseda zhvillohet gjersa ajo është në veturë duke udhëtuar drejt shtëpisë së saj e jo në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ku kishte ndodhur biseda e parë mes saj dhe Radojiçiç-it – rresht me kryeterroristin.

Biseda nuk zhvillohet në gjuhën shqipe – siç pretendonte Kusari – Lila – por në gjuhën serbe sikurse ajo e para.

Gjithashtu telefonata zhvillohet plotësisht me dijeninë e saj – ajo vetë pranon të flas me Radojiçiç-in, pas kërkesës që ia parashtron fillimisht Simiç – dhe jo rastësisht, siç pretendonte ajo që kishte ndodhur për herë të parë, meqë në versionin e saj Simiç ia kishte lëshuar në interfon Radojiçiç-in dhe ajo ishte vënë para aktit të kryer.

Pas përgënjeshtrimit, Mimoza Kusari – Lila nuk është deklaruar ende publikisht.

The post Kusari-Lila s’ka kryer tradhti kombëtare, thotë Konjufca appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here