Udhëheqësi i ekstremit të djathtë francez, Jordan Bardella, kritikoi të martën yllin e futbollit, Kylian Mbappe, për thirrjen e tij ndaj të rinjve që të votojnë kundër “ekstremeve” në zgjedhjet parlamentare të këtij muaji.
“Kam shumë respekt për futbollistët tanë, qofshin Marcus Thuram apo Kylian Mbappe, të cilët janë ikona të futbollit dhe ikona për të rinjtë… Por ne duhet të respektojmë francezët, duhet të respektojmë votën e të gjithëve”, tha Bardella për CNews TV.
“Kur je me fat që të kesh një rrogë shumë, shumë të madhe, kur je një multimilioner… atëherë më vjen paksa i turp të shoh këta atletë t’u japin mësim njerëzve që nuk arrijnë dot fundin e muajit, që nuk ndihen më të sigurt, që nuk kanë shansin të jetojnë në lagje të mbimbrojtura nga agjentët e sigurisë”, tha ai.
Kapiteni i Francës, Mbappe, i cili është jashtëzakonisht popullor, tha të dielën, gjatë një konference për shtyp në prag të ndeshjes hapëse të Francës në Euro 2024, se “ekstremet po trokasin në dyert e pushtetit”.
Sulmuesi Marcus Thuram më herët u kishte kërkuar njerëzve që të “luftonin çdo ditë” për të parandaluar Ressemblement National të fitonte pushtet.
Mbappe nuk e emërtoi RN-në, por tha se ai mbështet të njëjtat vlera dhe pozicion si Thuram.
“Kylian Mbappe është kundër pikëpamjeve ekstreme dhe kundër ideve që përçajnë njerëzit. Unë dua të jem krenar që përfaqësoj Francën, nuk dua të përfaqësoj një vend që nuk korrespondon me vlerat e mia, apo vlerat tona,” tha vetë Mbappe.
Kjo thirrje rezonoi me disa të rinj në lagjen e vjetër të Mbappe, një periferi e paprivilegjuar e Parisit, por u kritikua menjëherë nga RN.
Bardella po fliste një ditë pasi Franca fitoi ndeshjen hapëse të Euro 2024, në të cilën Mbappe pësoi një thyerje të hundës.
Partia euroskeptike e Bardella-s, ka shansin e parë real për të fituar pushtetin kombëtar në votimin e 30 qershorit dhe 7 korrikut. Sondazhet e opinionit kanë vendosur vazhdimisht RN-në të parën që nga vendimi tronditës i Presidentit Emmanuel Macron këtë muaj për të shpërndarë parlamentin.
Ndërkohë, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, tha në një konferencë për shtyp në kampin e skuadrës në Gjermani se lojtarët ishin të lirë të shprehnin mendimin e tyre. Ai u bëri thirrje partive politike që të mos i përdorin këto komente në dobi të tyre.
The post Lideri francez i ekstremit të djathtë, Bardella, kritikon Mbappe për komentet e zgjedhjeve appeared first on Albanian Post.








