osmani-ia-dorezon-flamurin-sportisteve-qe-do-ta-prezantojne-vendin-ne-lojerat-olimpike-ne-paris:-luftoni-per-kosoven

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia ka dorëzuar flamurin shtetëror nëntë sportistëve që do ta përfaqësojnë Kosovën në lojërat olimpike që do të zhvillohen në Paris nga 26 korriku deri më 11 gusht.

“Garoni me nder e luftoni për flamurin e Kosovës që të jetë sa më lartë në skenën globale sportive”, tha Osmani.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti, theksoi se rruga drejt Parisit nuk është e lehtë, por që deri më tani është dëshmuar se me përkushtim e punë të përbashkët arrihen rezultate të mëdha.

“Mos harroni që çdo hap që bëni e çdo fitore që arrini është një fitore për të gjithë ne”, potencoi Kurti para të pranishmëve.

Ndërsa presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, deklaroi Kosova është e gatshme për ta shijuar një tjetër sukses sportiv në Paris dhe se sportistët kosovarë do të jenë heronj modern të vendit.

Frymëzim sportistëve kosovarë iu dha edhe kampionia olimpike Majlinda Kelmendi, e cila theksoi se Kosova po i vazhdon sukseset e mëdha edhe pas saj, derisa shtoi se në Paris ekipi po udhëton për medalje të tjera elitare.

Lojërat Olimpike “Paris 2024” do të zhvillohen nga 26 korriku deri në 11 gusht. Organizatorët presin që të paktën 600 mijë njerëz të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes.

The post Osmani ia dorëzon flamurin sportistëve që do ta prezantojnë vendin në lojërat olimpike në Paris: Luftoni për Kosovën appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here