Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se shteti që ai përfaqëson nuk dëshiron konfrontime të reja në Veri – i banuar me shumicë serbe – në lidhje me çështjen e hapjes së Urës mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.
Këtë qëndrim, Guerot ka thënë se ia paraqitur kryeministrit Albin Kurti, gjatë takimi që ky i fundit pati të mërkurën me ambasadorët e QUINT-it (Francës, Gjermanisë, SHBA, Italisë dhe Britanisë së Madhe) dhe me atë të BE-së, ku u diskutua për këtë çështje.
“Mesazhi që i kam dhënë kryeministrin në emër të vendit tim është që në këtë kryqëzim nuk na duhen konfrontime të reja, pika të reja ndezëse e aq më pak nuk na duhet dhunë e re. Për hir të Kosovës, për hir të rajonit për hir të kontinentit kur kemi luftën që po vazhdon në Ukrainë me krejt potencialin për destabilizim që kanë në vete kjo”, tha Guerot në një intervistë për “Tëvë1”.
Ky, theksoi ai, “ishte mesazhi i Francës”, dhe “mendoj që nuk isha i vetëm në këtë”.
Për hapjen e urës, në vlerësimin e tij, duhet që të ketë komunikim me qytetarët nëse “duan më shumë vetura në qytet, ku krahasuar edhe bulevardin ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë dhe rrugët kryesore në Pejë e Gjakovë në të cilat nuk lëvizet me vetura”.
“A është e nevojshme kur ka ura tjera të hapura. Do të doja të shihja një ekspertizë teknike nëse kjo është e nevojshme”, potencoi Guerot.
Të mërkurën kryeministri Kurti u takua me ambasadorët e QUINT-it dhe atë të BE-së, ku foli për hapjen e Urës mbi lumin Ibër.
“Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, thuhet në njoftim e zyrës së kryeministrit.
Vendimi për hapjen e urës ishte marrë më 28 prill të vitit të kaluar nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, që ishte propozuar nga asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, por ishte kundërshtuar ashpër nga Serbia, madje edhe nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiç, derisa komuniteti ndërkombëtar kishte kërkuar që kjo temë të trajtohet në dialog.
Ura mbi lumin Ibër ishte ndërtuar për të bashkuar qytetin e Mitrovicës, por ajo shpejt u bë simbol i ndarjes në baza etnike.
Ka pasur shumë përpjekje për hapjen e saj, por një gjë e tillë asnjëherë nuk ndodhi, madje atje qëndronin edhe trupat e KFOR-it, që ishin garant për sigurinë në atë pjesë problematike të Kosovës.
The post “Franca s’dëshiron konfrontime të reja në Veri”, mesazhi që Guerot ia ka thënë Kurtit për hapjen e Urës së Ibrit appeared first on Albanian Post.








