bajrami,-kurtit:-frazat-para-mergates-tregojne-per-deshtimet-e-tua

Në një shkrim të gjatë, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, për fjalimin që ka pasur para bashkatdhetarëve në Prishtinë ku kishte adresuar kritika ndaj qeverive të kaluara, duke i cilësuar si “të korruptuara” edhe pse raportet ndërkombëtare ekspozuan “korrupsionin serioz qeveritar” edhe gjatë qeverisjes së tij.

Ajo ka thënë se “dimër në verë”, “qerrja para kalit”, “kafeja pa filxhan”, është gjuha e dështimit të kryeministrit Kurti.

Bajrami, përmes shkrimit të saj në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se nëse do të kishte diçka që është kryer konkretisht nga kjo qeveri kryeministri do ta prezantonte para mërgatës.

Për këtë arsye fjalimi i tij sipas saj s’pati asgjë konkrete që është bërë gjatë qeverisjes së tij.

“A nuk do duhej që Kryeministri i 51% të votave, ai i menaxhimit të 11 miliardë eurove buxhet, i qeverisjes njëpartiake pa pasur nevojë që buxhetin ta ndajë politikisht sipas resorëve të partive në koalicion të fliste sot me terma konkrete, të fliste për projekte të mëdha infrastrukturore, për reforma në arsim, për reforma në drejtësi, për burgosje të korruptuarave të të gjitha qeverive, të na fliste për njohjet e reja, anëtarësimet në organizata ndërkombëtare për suksesin në Këshillin e Evropës, për nënshkrimin e Partneritetit për Paqe me NATO-n e të tjera si këto?”.

Bajrami, Kurtin e ka quajtur “populist ekstrem”.

“Secilin vendim e bazon në sondazhe, jo sa do të përfitoj vendi, jo sa do të përfitojnë qytetarët, por çfarë ndikimi do të ketë vendimi i tij në vota. Vota këto që me shumicë vijnë nga ata të cilët fare pak prekën nga vendimet e Albin Kurtit. Andaj, Albin Kurti përdorë fraza si “dimër në verë”, “qerrja para kalit”, “kafeja pa filxhan”. Fraza të tilla boshe Albin Kurti përdori para dy dite kur takoj mërgatën, ai ndër të tjera u tha: “Gjendja ka qenë e rëndë, dikur edhe vera ka qenë dimër”.

“Dhe unë e pyes Albin Kurtin: Kur ka qenë vera dimër z. Kryeministër?”.

Duke krahasuar qeverisjen e ish kryeministrit Avdullah Hoti, Bajrami potencoi se tani Kurti s’po mund ta takojë askënd në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Atëherë kur Kryeministri i Kosovës i kishte dyert e hapura në Shtepinë e Bardhë e nënshkruate marrëveshje, apo tani kohën kur ju si Kryeministër në SHBA s’mund takoni askënd tjetër pos menaxhmetin e UBER-it?”.

“A ka qenë vera dimër kur Kosova nënshkruante marrëveshjen e Stabilizim Asocimit apo nën qeverisjen tuaj që Kosova është që 14 muaj nën sanksionet të BE-së? Si na paska qenë vera më herët e si qenka tani kur që tri vite e gjysmë asnjë njohje, asnjë anëtarësim, asnjë projekt, asnjë investim, asnjë premtim i realizuar – veç patriotizëm fallc nga ju dezertorët e dikurshëm”.

Bajrami edhe për deklaratën e tij ku thotë se “taksat që derdheshin te thesari i shtetit nga djersa e qytetarëve, përfundonin në xhepat e pushtetarëve”, ka përmendur deklaratën e tij të dikurshme i cili thoshte se nuk do të përdor xhipat.

“Këtu ndoshta duhet të kemi edhe pak mirëkuptim sepse krejt varet prej cilës perspektive e sheh Albin Kurti verën dhe dimrin: si puna e xhipave të zi, derisa ishte në opozitë çfarë nuk thoshte për qeveritarët me xhipat e zi, që 3 vjet e gjysmë po thotë kjo thjeshtë është protokollare”.

Përveç këtyre ajo ka kërkuar nga Kurti ta dijë se çfarë ka bërë për ta luftuar korrupsionin.

Mërgimtarët e dinë mirë se Kurti ka ardhur në pushtet duke premtuar që do ta bëjë Dubravën 12 kate. Që do t’i ndëshkoj të korruptuarit, por deri sot s’ka asnjë rezultat. Përkundrazi, Kurti merr në mbrojtje secilin të korruptuar, ka vetëm një kriter që ai të jetë i Lëvizjes Vetëvendosje”.

Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit të publikuar me 22 prill, aktualisht në Kosovë ka “korrupsion serioz qeveritar”.

Gjithashtu, raporti i organizatës prestigjioze “Freedom House” potencoi se korrupsioni në Kosovë vazhdon të mbetet “çështje serioze” dhe “shumë shqetësuese”.

Përderisa raporti i DASH-it ’23 përmendi korrupsionin qeveritar, organizata “Freedom House” vlerësoi se Kosova vazhdon të jetë pjesërisht e lirë dhe s’ka shënuar kurrfarë progresi, posaçërisht në çrrënjosjen e korrupsionit që qeveria aktuale e premtoi.

Po ashtu, më herët u raportua se Task-forca antikorrupsion në Policinë e Kosovës, aktualisht është duke hetuar së paku pesë ministra dhe një zëvendësministër të kësaj Qeverie.

Kurse, aktualisht nën hetime ose në procedura gjyqësore janë dy ministra të kësaj qeverisje.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është nën hetime akuza për mosdeklarim të pasurisë, ndërsa ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, u dënua me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë.

Hajdari, po ashtu është nën hetime për keqpërdorim të detyrës në lidhje me rezervat shtetërore.

Në gusht të 2023-së edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi ishte dënuar me 500 euro gjobë pasi është shpallur fajtore se ka deklaruar me vonesë pasurinë.

Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishin deklaruar se numri i zyrtarëve publikë, që s’e kanë respektuar obligimin e deklarimit të pasurisë, është rritur në vitin 2024 krahasuar me vitin 2021.

Përveç ministrave, edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili aktualisht është subjekt i hetimit të Prokurorisë së Kosovës për shmangie tatimi dhe shpëlarje të parave.

“Taksat përfundonin në xhepat e pushtetarëve”: Kurti akuzon qeveritë e kaluara, harron raportet për “korrupsion serioz qeveritar” gjatë qeverisjes së tij

The post Bajrami, Kurtit: Frazat para mërgatës tregojnë për dështimet e tua appeared first on Albanian Post.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here