Një kontigjent gjerman prej 20 ushtarësh ka zbarkuar të mërkurën në Kosovë në kuadër të Forcës së NATO-s (KFOR), ka njoftuar faqja zyrtare e Forcave të Armatosura të Gjermanisë (Bundeswehr).
“20 ushtarë nga kontingjenti gjerman i dislokimit në KFOR zbarkuan në Kosovë me një Airbus A400M. A400M fluturon rregullisht për të transportuar personel dhe material për Bundeswehrin dhe për të siguruar gatishmërinë operacionale të kontingjentit”, thuhet në njoftimin e Bundeswehrit.
Aktualisht, në mesin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare janë rreth 400 ushtarë gjermanë. Disa ditë më parë, një kontigjent shtesë prej 200 ushtarësh kanë zbarkuar në vend për të përforcuar KFOR-in, në sfondin e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Bundeswehr është prezent në Kosovë që nga 12 qershori 1999. Megjithatë, në përgjigje të trazirave të vitit të kaluar dhe situatës së paqëndrueshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, aleatët e NATO-s kanë shtuar numrin e ushtarëve në Kosovë.
Në parim, misioni i ushtarëve gjermanë në Kosovë është i pakufizuar, që do të thotë se nuk ka afate kohore. Megjithatë, në vitin 2020, ekzekuti gjerman garantoi se do ta adresojë në Parlamentin e Gjermanisë pjesëmarrjen e Bundeswehr në misionin paqeruajtës të NATO-s, përkatësisht çdo 12 muaj.
The post Një kontigjent gjerman prej 20 ushtarësh zbarkon në Kosovë appeared first on Albanian Post.








