Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Julianne Smith, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” të enjten, deklaroi se përparimi shtesë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd nën kujdesin e Bashkimi Evropian (BE) është i rëndësishëm për ecjen përpara të Kosovës.
Institucionet e Kosovës kanë shtuar përpjekjet që t’iu bashkohen strukturave të aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja, duke filluar nga Partneriteti për Paqe (PfP), por ambasadorja amerikane në NATO theksoi se katër shtetet mosnjëhëse – Spanja, Greqia, Rumania dhe Sllovakia – ndërlikojnë rrugën e vendit të vogël drejt përmbushjes së këtij synimi madhor.
“Kemi situatën ku katër anëtarë të aleancës janë vende që nuk e njohin dhe duhet ta kemi parasysh këtë. Dhe, kjo duhet të adresohet para se aleanca të mund të ecë përpara me ndonjë lloj partneriteti formal, ndërmjet aleancës dhe Kosovës”, deklaroi ambasadorja, derisa shtoi se për këtë arsye NATO mbështet përpjekjet e BE-së në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare.
“Ne besojmë se të gjithë duhet të synojnë përparimin në dialogun e udhëhequr dhe të ndërmjetësuar nga BE-ja. Vetëm me përparim shtesë në atë drejtim ne mund të kalojmë të çështjet më të mëdha për sa i përket marrëdhënies së Kosovës me aleancën”, nënvizoi diplomatja amerikane, derisa i bëri jehonë mbështetjes së SHBA-së për Kosovën në këtë rrafsh.
Kosova synon të lëvizë drejt anëtarësimit në NATO dhe për këtë krijoi një grup punues për t’u përgatitur për aplikim për anëtarësim në PfP. Megjithatë, të gjitha vendimet në aleancën më të suksesshme ushtarake në botë, përfshirë edhe për PfP që vlerësohet të jetë paradhomë e NATO-s, merren me konsensus nga Këshilli i Atlantikut – trupi vendimmarrës i organizatës.
The post Ambasadorja e SHBA-së: Vetëm përparimi në dialog e çon Kosovën drejt integrimit në NATO appeared first on Albanian Post.








